AKTUALITET, 14 Dhjetor 2024, 21:12

Besnik Mustafaj rrëfen të pathënat e ndërrimit të sistemeve: Ja kur e kuptova se regjimi mori fund

Besnik Mustafaj rrëfen të pathënat e ndërrimit të

Besnik Mustafaj ishte në vijën e parë të ngjarjeve të dhjetorit të vitit 1990, kur nisi edhe lëvizja e madhe studentore, që solli edhe rrëzimin e sistemit komunist dhe vendosjen e pluralizmit politik.

“Rrëzimi i atij sistemi ka qenë vepra më e madhe që kanë bërë shqoiptarët pas Pavarësisë në 1912-n dhe jam krenar që kam qenë pjesë. Brezi im e kishte ëndërr të madhe lirinë. Liria për ne ishte ëndër shumë e bukur, por kalimi nga ëndrra në realitet është problem tjetër. Është shumë e vështirë të administrosh lirinë dhe administrimi i lirisë ka të bëjë me demokracinë”, tha shkrimtari që merret me politikë, siç e quajti ai veten, gjatë një interviste në “Off the Record” me Andrea Dangllin, në A2 CNN.

Mustafaj tregoi edhe momentin e saktë, kur kuptoi se atij sistemi i kishte ardhur fundi. “Bashkë me Berishën ne shkuam te studentët që më 9 dhjetor po përpiqeshin të shkonin në Sheshin Skënderbej dhe policia i kishte bllokuar te rruga pranë Liceut. Kur policia ndërhyri dhe i shpërndau dhe Sali Berisha nisi të bërtiste siç di ai, kur nxehet, “i gjuani me hanxhar”. Por kur unë i kam parë që njerëzit në shtëpitë përreth i pranuan në shtëpi dhe i fshehën studentët, e kam kuptuar se këtyre njerëzve u kishte dalë frika, pra këtij regjimit i kishte ardhur fundit”, tha ai.

“Ato pallate ishin nëpunës shteti, nuk ishin tiranas autokton. Pra kur ata nëpunës shteti, pjesë e sistemit, i pranuan në shtëpi dhe i fshehën... deri dje për aq gjë nuk guxonte njeri ta bënte... Kur ata i fshehën, atëherë e kam kuptuar se shqiptarët më në fund...”.