AKTUALITET, 22 Maj 2024, 14:35

“Berishën e mbani të burgosur politik”, Noka akuzon Dumanin, kreu i SPAK-ut: Nuk është kënaqësi, ta garantoj

“Berishën e mbani të burgosur politik”, Noka akuzon

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, në seancën dëgjimore me kreun e SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve ka ngritur një seri pyetjesh ndaj kreut të SPAK për punën e këtij institucioni.

"Si shpjegohet kjo kontradiktë e madhe, edhe sipas të dhënave të DASH apo të KE, por edhe sipas sondazheve dhe asaj që dihet, korrupsioni është shumëfishuar, goditja ndaj tij është minimizuar.

Mos vallë i keni duart e lidhura?

Mos vallë keni një ngërç diku sepse Rama funksionon edhe me pengmarrje dhe ne e njohim se si funksionon Edi Rama.

Ju sot keni 18 prokurorë, janë edhe 60 hetues të BKH. Task-forca e luftës kundër krimit dhe korrupsionit në atë kohë nuk kishte as gjysmën e këtij stafi, keni qenë edhe ju.

Pra pyetja është se si e shpjegoni dhe mos vallë i keni duart e lidhura. E them këtë duke e ditur se si funksionon Rama.
Pyetja e dytë, ju i keni hapur proces ligjor kryetarit të PD dhe opozitës pa asnjë fakt dhe asnjë provë. Sot mbani të burgosur politik atë pa akuzë. Rast unik dhe i pabazuar në ligj.

Sigurisht nisët një proces ndaj tij në shkelje të Kushtetutës.

Gjithashtu keni hapur një proces ligjor ndaj Fatmir Mediut, një drejtues tjetër i opozitës, megjithëse çështja e tij është parashtruar. 

Proces kundër Ilir Metës, drejtues i një tjetër force opozitare.

Mos vallë po përdoreni politikisht për ët luftuar opozitën ose keni një mision të detyruar nga kreu i këtij regjimi?

E gjitha kjo perceptohet si luftë ndaj opozitës, ndërkohë që korrupsioni, vjedhja dhe krimi bëhen tjetër kund.

Pyetje tjetër, kryetari i opozitës mbahet sot i burgosur dhe ju i keni ndaluar të drejtën e komunikimit. A mund të thoni ku e bazoni në cilin ligj të shtetit shqiptar bazoheni ju pasi ligji që i referoheni është abroguar në vitin 2017?

Ku e bazoni ju ligjërisht pengimin e kryetarit të PD për të marrë pjesë në funksionin e tij kushtetues të deputetit në parlament sepse në bazë të ligjeve të këtij vendi, një vendim i tillë bëhet kur ka vendim të formës së prerë të gjykatës?

Hetimi i inceneratorëve, a mund t’i thoni publikut cili është qëllimi dhe pse janë copëzuar hetimet për inceneratorët dhe 5D-në e Bashkisë së Tiranës? Sepse janë vendime që janë marrë nga grup personash. Janë cenuar dhe abuzuar taksat e qytetarëve shqiptarë. Pse i keni copëzuar hetimet edhe për koncesionet?

Kush është përgjegjësi për 130 milionë euro të inceneratorit të Tiranës dhe 430 milionë eurot e inceneratorët në tërësi? Një invidid apo një grup individësh që nuk e quani grup kriminal?

E njëjta gjë edhe për 5D, nga ju ka hezitim për t’i cilësuar si grup kriminal.

Tjetër, dhënia bonus 8 përqind e një kompanie të pakrijuar në rastin e inceneratorit, a përbën vepër penale se është rast unik, i padëgjuar ndonjëherë? Është rast për librat Gines.

Për dosjen Metamorfoza, keni njoftuar që dosja janë firmosur 51 urdhër-arreste në mos gaboj, të arrestuar janë 6 në mos gaboj dhe asnjë nuk është arrestuar tani, të gjithë janë arrestuar për çështje të tjerë. Kush e dekonspiroi këtë operacion, ju apo Policia e Shtetit? Ata e kanë mohuar duke thënë se vetëm shoqërojnë hetuesit e BKH-së.

Kemi të drejtën të dyshojmë se ky operacion njësoj si Forca e Ligjit përdoret si presion ndaj grupeve elektorale për t’i shndërruar në shtabe elektorale për Rilindjen!

Te Metamorfoza sheh një ish-deputet të PS, që ka qenë edhe te dosja 339 që është dosje e krimit elektoral, që organizon grup killerash për të vrarë një tjetër deputet të PS. Ky tjetri organizon grup vrasësish për ta vrarë atë. Kush i ligj gjithë këta? Mos vallë i lidh kryeministri dhe pushteti? 

Për çështjen tjetër, një nga shtyllat kryesore për të cilën SPAK është ngritur është edhe krimi zgjedhor. Krimi i organizuar, korrupsioni dhe krimi zgjedhor. A keni dijeni për fatin e dosjes 339 dhe fatin e dosjes 184 si të vetmet dosje të kopsitura të krimit zgjedhor në Shqipëri? Të vetmet dosje ku janë të zhytur që nga kryeministri, ministra dhe politikanë të mazhorancës.

A mendoni se me varrosjen e këtyre dosjeve, të bëra publike ndërkombëtarisht, institucioni që drejtoni ju ka amnistuar praktikisht krimin elektoral?

Për krimet zgjedhore, a është e vërtetë që policia ka referuar vetëm persona pranë opozitës për zgjedhjet e 14 majit 2023? Sa hetime proaktive keni zhvilluar ju për krimet zgjedhore të 14 majit 2023?

Një pyetje tjetër, si i konsideroni prokurimet me negociata të mbyllura? Të ligjshme apo antiligjore?"-pyeti Noka.  

Përgjigjia e Dumanit

Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se nuk është kënaqësi që njerëzit futen në burg. Në debat me deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka, Dumani tha se “prokurorët nuk flenë të qetë për dilemat e tyre nëse kanë marrë vendim të drejtë apo jo”.

“Cfarë jemi në fund të fundit ne? Ne ngremë akuza dhe fusim njerëz në burg, kënaqësi është për ne? Kurrë nuk është kënaqësi, por është pjesë e detyrës tonë institucionale dhe ligjore. Por nuk është kënaqësi ta garantoj. Nuk flemë të qetë me dilemat tona, kemi marrë një vendim të drejtë apo jo”, tha Dumani.

Ndërsa në lidhje me operacionin e fundit të SPAK, Dumani tha se “nuk mund të aludohet për dekonspirim”.

“Si mund të aludosh që hetuesit kanë dekonspiruar çështjen. Është mundi i prokurorëve, kemi punuar ditë e natë.

Është fyese për mua dhe denigruese që të aludosh për personat që me mish e me thua janë përpjekur të hetojnë një çështje kaq komplekse me kaq personazhe”.