AKTUALITET, 17 Shkurt 2025, 11:38

Berisha paralajmëroi shkrirjen e Prokurorisë së Posaçme, Rama: Opozita s’ka çfarë t’i bëjë SPAK! S’do marrë vota në 11 Maj

Berisha paralajmëroi shkrirjen e Prokurorisë së Posaçme,

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas paralajmërimeve të kryedemokratit Sali Berisha se do të shkrijë Prokurorinë e Posaçme.

Kreu i qeverisë u shpreh se “s’kanë për të marrë votën dhe SPAKU-t s’kanë çfarë i bëjnë fare”, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rubrikën Sy m’Sy.

Kryeministri theksoi se drejtësia duhet të bëjë punën e vet në pavarësi të plotë, duke theksuar se nuk do të bëjnë avokatinë e asnjë individi.

Por, theksoi Rama “ama tani ka ardhur koha të ngremë zërin për standardet demokratike te proceseve”.

Edi Rama: Tani vijmë tek përgjegjësia. Mësoje nga unë se jeta është e gjatë dhe mund te të duhet. Edhe ne një familje, lere pastaj ne një organizate, kompani, parti a shtet te tere, përgjegjësia e shkeljes se ligjit nuk është dot kolektive, është vetëm individuale.

Ndërsa moralisht familja, organizata, partia apo vete qeveria, mbajnë përgjegjësi për si reagojnë ndaj rastit kur dikush nga anëtarët e tyre shkelin ligjin. Deri para se te behej Reforma ne Drejtësi, reagimi ishte marrja në mbrojtje dhe pengimi me çdo mjet i drejtësisë dhe linçim publik i njerëzve të drejtësisë. Ata qe duan ta kthejnë përmbys reformën janë ende mes nesh, përballe nesh, me përbetimin publik se ne 11 maj po u dhatë votën do reagojnë duke e shkrire fare SPAK-un. Natyrisht, s’kanë për të marrë votën dhe SPAKU-t s’kanë çfarë i bëjnë fare.

Nga ana tjetër, ne mbetemi te palëkundur ne mbështetje të drejtësisë së re dhe reagimi ynë është drejtësia te bëjë punën e vet ne pavarësi të plote dhe ne nuk bëjmë avokatinë e asnjë individi, për rastin e vet konkret, por ama tani ka ardhur koha të ngremë zërin për standardet demokratike te proceseve. Sepse pavarësia e drejtësisë shqiptare u arrit. Për herë të parë në histori, ndërsa drejtësia europiane që duam për Shqipërinë 2030 është një drejtësi, ku pavarësia nuk mundet kurrsesi të kthehet në asnjë rast në shqelm ndaj standardeve demokratike, lirive e te drejtave te çdo individi.

Pavarësi, profesionalizëm dhe garanci kushtetuese e ligjore për çdokënd që hetohet e gjykohet, po kurrsesi nuk duhet të poshtërohet në pazar e të merret peng pa gjyq dhe të tërhiqet zvarrë nëpër kanalet e lumit mediatik dhe politik me nxitje dhe ushqim nga brenda burimeve të drejtësisë.

Historia na i mëson të gjitha, mjafton të duam të mësojmë historinë.

Dhe unë të ftoj të bësh atë që bëj unë, të mësosh historinë.