AKTUALITET, 23 Qershor 2026, 13:15

Berisha komenton deklaratat e Ramës për “FT”: Sillet si padrino i Shqipërisë! As Gadafi, as Sadami, as Maduro s'kanë përdorur këtë gjuhë

Berisha komenton deklaratat e Ramës për “FT”: Sillet si

Kreu i PD, Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj një interviste të kryeministrit Edi Rama për “Financial Times”, duke e akuzuar atë për përdorim të një gjuhe të papërshtatshme në një media ndërkombëtare.

Berisha deklaroi se dënon ashpër, siç i quajti ai, “sharjet e pakualifikueshme” të Ramës ndaj shqiptarëve gjatë intervistës, duke e cilësuar sjelljen e tij si të papranueshme për një kryeministër.

Sipas tij, reagimi i Ramës ka qenë “shokues” për gazetaren dhe publikun ndërkombëtar të pranishëm, ndërsa shtoi se mënyra e komunikimit të tij nuk është thjesht arrogante, por përfaqëson një sjellje që ai e krahasoi me figura autoritare të së kaluarës.

Berisha u shpreh se gjuha e përdorur nga Rama është e papranueshme për një kryeministër dhe e konsideroi atë si tregues të një qëndrimi armiqësor ndaj qytetarëve shqiptarë, duke e krahasuar sjelljen e tij me regjime autoritare dhe duke përdorur terma të ashpër politikë në deklaratën e tij.

“Dënoj sharjet e pakualifikueshme që Rama iu bën shqiptarëve në mediat më të mëdha ndërkombëtare. Ju garantoj se as Gadafi, as Sadami, as Maduro nuk i kanë lejuar vetes gjuhën që Rama ka përdorur në Financial Times.

Ky ka dëshmuar urrejtjen e pakufishme që ka ndaj qytetarëve shqiptarë. Sharja e tij ishte shokuese për gazetaren dhe audiencën e pranishme. Ai nuk sillet si padrino, por shumë më keq se padrino. Ai e konsideron Shqipërinë si sulltanat i kohërave të shkuara.”, tha ai.