AKTUALITET, 11 Korrik 2026, 12:57

Berisha: 4 milionë eurot për Kanye West janë dhënë në mënyrë antikushtetuese

Berisha: 4 milionë eurot për Kanye West janë dhënë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për përdorimin e fondit rezervë për financimin e koncertit të Kanye West në Tiranë. Gjatë një bashkëbisedimi online, Berisha e cilësoi vendimin për akordimin e 4 milionë eurove si antikushtetues dhe pretendoi se fondi i emergjencës është përdorur për një aktivitet privat.

“Në mënyrë të papritur, antikushtetuese, absolutisht antikushtetuese, Edi Rama merr nga fondi rezervë i qeverisë, krijimi i të cilit bazohet në nene të qarta të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe këtë fond që i është besuar për ta përdorur për emergjenca, urgjenca dhe raste tepër të veçanta, e ndan me Kanye West, një këngëtar i mirënjohur, vetëm e vetëm për lobingje të tij. Ky është një krim antikushtetues”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se paratë e rezervës së qeverisë nuk mund t’i jepen një koncerti privat dhe akuzoi kryeministrin Rama se nuk respekton ligjin dhe Kushtetutën.

“Këtë e bën vetëm ai që nuk pyet për Kushtetutë. Vetëm ai që nuk ka asnjë interes të shtetit ligjor apo interes kombëtar. Ka vetëm interesa personale”, deklaroi Berisha.