AKTUALITET, 11 Qershor 2026, 13:05

'BE s’kërkon ndalim automatik'/ Interpelanca për Zvërnecin, Jaupaj: Askush s’dyshon në angazhimin tonë për mjedisin! Analizë shkencore e plotë

'BE s’kërkon ndalim automatik'/ Interpelanca për

Në interpelancën me deputetët e opozitës lidhur me investimin në Zvërnec, ministri i Mjedisit tha se askush s’mund të dyshojë angazhimin e qeverisë për natyrën. Sipas Sofjan Jaupajt, projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë për ndikimin në mjedis.

Më tej, tha se statusi i peizazhit të mbrojtur lejon zhvillimin në këtë zonë, duke respektuar bashkëjetesën me natyrën. Jaupaj theksoi se BE nuk ndalon automatikisht zhvillimin, por kërkon respektimin e habitatit.

“Askush s’mund të vërë në dyshim angazhimin tonë për natyrën sepse është i matshëm. Është debat i shëndetshëm dhe i nevojshëm, por duhet të mbështetemi te faktet, ligjet dhe shkenca.

Së pari, janë ngritur pretendime se procedura mjedisore është anashkaluar. Faktet tregojnë se pas shqyrtimit të dokumentacionit, u vendos që duhet t’i nënshtrohet procedurës së thelluar të ndikimit në mjedis, pra është aktivizuar niveli më i lartë i legjislacionit. Projekti do t’i nënshtrohet një analize të plotë.  Me fjalë të tjera, shteti shqiptar ka vendosur që vendimmarrja mjedisore të vendoset mbi evidencën shkencore. Është pikërisht garancia që mbrojtja e natyrës duhet të bazohet mbi fakte, studime dhe vlerësime profesionale.

Statusi i zonës së mbrojtur. Zona e Pishë-Poros është shpallur zonë e mbrojtur, kategoria V që nuk është rezervë strikte natyrore. Filozofia bazohet mbi bashkëjetesën e natyrës dhe aktivitetit ekonomik e social. Mbi zonat e mbrojtura mund të ekzistojnë qendra banimi etj. Ligji shqiptar nuk vendos ndalime, por kushte sesi duhet të realizohen.

BE kërkon respektimin e direktivës së habitateve dhe shpendëve. Projekti të zhvillohet në bazë të ndikimit konkret që mund të ketë. Nenet kërkojnë vlerësim të përshtatshëm të ndikimit dhe jo ndalim automatik”, tha Jaupaj.