TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
“Kryeministri Edi Rama po ballafaqohet me Perëndimin, edhe pse po ndihmon për të mbajtur larg refugjatët. Kundërshtarët e tij thonë se ai e ka kthyer Shqipërinë në një autokraci të dominuar nga paratë e drogës”, kështu shkruan Walter Mayer në një artikull të publikuar në “Der Spiegel”.
Në artikull thuhet se Rama shihet nga këndvështrimi perëndimor si një stabilizues në Ballkan.
Der Spiegel shkruan se sidomos marrëveshja e tij e negociuar me Meloni-n, ka ngjallur interes edhe përtej Italisë. Bëhet fjalë për planin për të strehuar në territorin shqiptar refugjatët dhe emigrantët e kapur në ujërat mesdhetare italiane për të përcaktuar nëse janë të denjë për azil.
“Ursula von der Leyen e quan atë ‘i dashur Edi’, që është tashmë një sinjal”, thotë Frauke Seebass nga Fondacioni për Shkencë dhe Politik (zyra e Brukselit).
“Duhet ta shohësh fenomenin Rama në një kontekst më të gjerë, nga këndvështrimi i BE-së, bëhet fjalë për një qasje pragmatike për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor. Rama konsiderohet ndryshe nga Aleksandar Vuçiç në Serbi, si jo anti-europian, më i butë, për këtë arsye, është vendosur që t’i mbyllet një sy, nëse jo dy”, vijon ai.
Në artikullin e Der Spiegel, përfshihet edhe vizita e Sekretarit amerikanë të Shtetit, Antony Blinken dhe fjalët lavdëruese për Edi Ramën.
Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, e nderoi me vizitën e tij në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në shkurt dhe shprehu fjalë lavdëruese për “Edin”, veçanërisht për reformën e tij të drejtësisë. “Zyrtarët e korruptuar po mbahen përgjegjës”, tha Blinken, duke shtuar “anëtarët e krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po humbasin pasuritë e tyre. Ky është një ndryshim i madh.”
Por, Der Spiegel pasqyron edhe çka thotë raporti i DASH në vitin 2023. Aty shkruhet se “në vitin 2023, në vendin anëtar të NATO-s, Shqipëri, kishte “korrupsion në të gjithë sektorët dhe në të gjitha nivelet e qeverisë”.
Kjo do të thotë: edhe në majë. Kundërshtarët politikë të Ramës pohojnë se ai ka kthyer vendin në një autokraci të dominuar nga paratë e drogës. Më saktësisht, se ai ka toleruar fuqizimin e krimit të organizuar. Kryeministri i mohon këto akuza.
Kur u ballafaqua me akuza të ngjashme nga SPIEGEL, kryeministri telefonoi vonë në mbrëmje dhe u përpoq të ndikonte në raportim. Ai i ndiente akuzat si të pamerituara, fyese dhe të dëmshme për reputacionin e vendit të tij.
Si mund të ndodhë, u pyet Rama nga një gazetar italian në qershor, që nga rrethi i tij më i ngushtë, njëri pas tjetrit po arrestohen për korrupsion, përfshirë ministra të ndryshëm, ndërsa ai vetë ende qëndron në detyrë?
Përgjigja e ftohtë e kryeministrit shqiptar: “Në çdo pyll ka derra.”
Sa më popullor të bëhet Rama jashtë vendit, aq më shumë rritet zemërimi në rrethin e tij të ngushtë. Ata që dinë shumë dhe kanë shumë për të humbur, flasin vetëm nën kushtin e anonimatit. Të tjerë dalin në rrugë.
Në korrik, demonstrues të zemëruar hodhën bomba molotov kundër zyrës së Ramës në Tiranë. Shkallët e djegura janë pastruar tashmë.
Kryeministri vetë tha për televizionin shtetëror italian Rai: “Nuk mendoj sinqerisht që politika në Shqipëri është helmuar nga mafia”. Pretendimi i Ahmetajt, që bosët e mafias hyjnë dhe dalin nga zyra e tij, është një shpifje sa e pavërtetë, aq dhe e dëmshme pasi “njerëzit priren të besojnë më shumë gënjeshtrat sesa të vërtetën.”
Rama shqetësohet për reputacionin e vendit të tij. “Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, durimi ynë është pothuajse i pafund,” siguroi kryeministri për SPIEGEL dy vjet më parë në vilën e tij në Adriatik: “Shqipëria ishte një diktaturë e izoluar, “Koreja e Veriut e Europës, ku në fund të viteve tetëdhjetë ishte ende e rrezikshme të dëgjoje Beatles. Prandaj unë pohoj se ne, në kuptimin absolut, kemi arritur më shumë në këto 30 vite sesa çdo vend tjetër i Europës.”
Që nga viti 1991, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë, më shumë se një e treta e popullsisë prej 3.3 milionë banorësh ka emigruar nga vendi. Paga mesatare është rreth 750 euro. Gati një e treta e të rinjve që kanë mbetur janë të papunë.
“Shkrirja e interesave politike dhe mediatike me ato të kriminelëve dhe oligarkëve”, kështu funksionon sistemi Rama, thotë një ish-anëtar i qeverisë, që dëshiron të mbetet anonim: “E gjithë kjo ndodh me bekimin e BE-së dhe SHBA-së. Nuk ka asnjë tender publik që nuk bie në duart e rrethit të tij të zgjeruar. Në thelb, Rama ka zhytur gjithë vendin në kriminalitet. Shqipëria tani është një rast studimi për korrupsion, dhe megjithatë Rama, i zgjuar siç është, arrin të fitojë njohjen në Perëndim.”
Fatos Lubonja është një nga ata që mban qëndrim të vendosur për një kritikë të thellë ndaj kryeministrit. Si shkrimtar dhe autor i shquar, ai konsiderohet ndërgjegjja e së majtës shqiptare.
Lubonja është djali i një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Enver Hoxhës, i cili më vonë u vu nën kritika. Ai kaloi 17 vjet në burg, shumicën e kohës në kampe pune të detyruar, si në minierën famëkeqe të Spaçit. Vetëm në vitin 1991, si një nga të fundit të burgosur politikë, u lirua.
“Te Edi Rama i ri e kam parë veten”, thotë Lubonja. “Të dy donim të dilnim nga hija e etërve tanë të lidhur me regjimin.” Por, në vitin 2000, Rama u bë kryebashkiak i Tiranës, dhe që nga viti 2013 është kryeministër.
Sipas Lubonjës, vitet e gjata në pushtet e kanë ndryshuar shokun e tij të dikurshëm: “Ai është bërë një narcisist i keqdashur, një njeri shumë i zgjuar, por pa parime. Ditën sillet si Dr. Jekyll, natën si Mr. Hyde, një person që ka nevojë për pushtetin ashtu siç ka nevojë për ajrin për të jetuar.”
Lubonja gjithashtu kritikon Perëndimin, veçanërisht familjen e partive socialiste të Evropës, për mbylljen e syve ndaj realitetit të zymtë në Shqipëri. “Ajo ç’ka është nafta për vendet e tjera, në Shqipërinë e Ramës janë tregtarët e drogës me paratë e tyre,” thotë ish-disidenti.
Gjatë një përballjeje të fundit mes tyre, Lubonja e quajti Ramën një “mashtrues”, por mendon se kjo nuk i bën shumë përshtypje kryeministrit: “Sepse ai është si një krokodil – flet shumë, por nuk dëgjon fare,” ose “shumë gojë, pak vesh”.