AKTUALITET, 26 Qershor 2026, 14:42

BE mbështet integrimin gradual/ Nis diskutimet mbi zgjerimin sipas propozimeve të Francës dhe Gjermanisë

BE mbështet integrimin gradual/ Nis diskutimet mbi zgjerimin sipas

Komisioni Europian nis hartimin e draftit për zgjerimin gradual të BE. Politico.eu shkruan se propozimet për zgjerim gradual të vendeve kandidate kanë nisur të marrin formë në tryezat më të larta të Brukselit, për tu finalizuar me skemën përfundimtare se si kandidatët nga Ballkani Perëndimor si Shqipëria, apo Moldavia dhe Ukraina do të bëhen pjesë e BE në të ardhmen.

Sipas detajeve të para të draftit që po hartohet, mësohet se KE e mbështet integrimin gradual në parim, duke shpërblyer vendet kandidate me akses më të madh në BE, por paralelisht ato vijojnë reformat ndërsa nuk kanë të drejtë vetoje.

Përfitimet e vendeve kandidate do të jenë më tepër ekonomike, aksesi në programe financimi në BE, marrëveshje tregtare preferenciale si dhe akses në tregun ekonomik europian para anëtarësimit.

Por, përfitimet do të varen edhe nga merita. Sa më shumë një vend përafrohet me BE dhe i zbaton reformat, aq më shumë përfiton.

Politico.eu shkruan se përfundimisht ideja e “zgjerimit të kundërt”, për ti dhënë vendeve kandidate të drejta politike para anëtarësimit ka rënë, dhe do të ecet para me propozimet e Gjermanisë dhe Francës të cilat kërkojnë anëtarësim pa veto për një periudhë prove.

Ky konsiderohet si propozimi më i mirë për integrimin e anëtarëve të rinj prej kohës së zgjerimit të fundit të BE me Kroacinë dhe një komensim i një dekade të humbur kohe me reforma.

Megjithatë, në Bruksel tashmë ka një konsensus të plotë se BE duhet të nxitojë për zgjerimin me anëtarë të rinj, ndaj dhe KE po ecën shpejt me draftin e ri në mënyrë që të jetë gati për të kërkuar edhe mbështetjen e vendeve anëtare të BE e për t’ja kaluar Këshillit të BE në mbledhjen e ardhshme në tetor ose dhjetor.