TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste kritikoi opozitën se po lutet që Shqipëria të dështojë në procesin e integrimit në BE, por theksoi se sfida kryesore e qeverisë dhe Kuvendit është t’i rrijë strikte afateve të vendosura dhe që në Krishtlindjet e vitit 2027 të mbylleshin negociatat dhe në vitin 2029 të kishin kandidatë për eurodeputetë.
Deputeti foli gjatë seancës dëgjimore të Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, që u mbajt me ministren e Shtetit dhe Kryenegociatore, Majlinda Dhuka, për raportin e qeverisë për procesin e integrimit në BE.
“Shpreh mirënjohje për punën e deritanishme, Shqipëria ka thyer një rekord si asnjë vend tjetër më parë për mbylljen e negociatave, në ambicien tonë sfiduese për t’i mbyllur brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm, mesazh ambicioz, por me këtë ekip që ju Kryenegociatore drejtoni do i arrijmë, por ne si Kuvend të shohim rolin tonë të domosdoshëm për t’i qëndruar strikt afatit”, tha Balla në nisje të fjalës së tij.
Më tej ai kritikoi opozitën se jo vetëm nuk lexon ligjet e Kuvendit që u vihen përpara në çdo seancë apo konferencë kryetarësh, por edhe lutet që integrimi i vendit të bllokohet.
“Dëgjova me vëmendje disa kolegë të opozitës këtu që kritikonin ministren se pse nuk është vënë në dispozicion lista e ligjeve që synojnë përafrimin, çdo deputet e ka listën e ligjeve para. Kur ajo ndodhet në faqen e Kuvendit, edhe për ata që nuk e dinë, si ata që kanë vite, ku kryetari njofton se çfarë ligjesh kanë ardhur në Kuvend, prandaj dëgjo e ku ti, se disa nga ju e kanë mendjen ta marrin fjalën atje për të rrokanisur kokat e të tjerëve, dëgjo se çfarë ligjesh kanë ardhur në Kuvend, aty ke edhe ato që kanë ardhur për përafrimin, të paktën që kur është firmosur kjo praktikë, kjo është praktikë që nga viti 2006. Por ajo tjetra është më e pafalshme, kur marrin pjesë në Konferencën e Kryetarëve, që e dinë fare mirë, se e kanë përpara, u vihet në tavolinë, u vihet tabela e ligjeve, madje ka edhe aderim.
Madje ka dhe aderim në marrëveshje e konventa ku thuhet se përmes kësaj bëhet siç e kishim edhe më datë 7 maj në një prej tyre. E kam thënë edhe në Kuvend, ja ku është referenca e ligjeve ku është bërë kërkuar përafrim legjislacioni”, vijoi deputeti socialist.
Balla e vijoi diskursin e tij kritik ndaj kolegëve opozitarë, duke i ftuar që për një herë të vetme ta jepnin votën e tyre pro reformave dhe procesit të integrimit, duke e votuar raportin dhe që të mbaheshin mend se kontribuan për këtë proces.
“Gjejeni veten dhe thoni bujrum, jepe një votë, po them po jap një votë, po e vë një tullë. Thuaj po jap edhe unë një dorë, e të thoni që kam kontribuar edhe unë në anëtarësimin e BE-së, ju dashamirësit apo dashnorët e Bashkimit Evropian. Ndaj i referohem vlerësimeve që vijnë nga kryekomisionerja Marta Kos. Ajo thotë se Shqipëria është shembulli më i mirë transformues. Mali i Zi i ka nisur bisedimet në qershor të vitit 2012, edhe atij që i shërben ti, që është deputet i atij që ishte atëherë, i atij që i mban çantën, e vlerëson procesin (i drejtohet një prej deputetëve të PD). Por edhe presidenca daneze e vlerëson progresin shumë mbresëlënës. Ata e vlerësojnë procesin e integrimit të mirë”, tha Balla.
Ai akuzoi kundërshtarët se punojnë për të mos u integruar Shqipëria në BE, por shtoi se vendi do ishte pjesë e familjes evropiane dhe madje duhet të përgatiteshin për kandidatët për eurodeputetë në zgjedhjet e vitit 2029.
“Ka nga ata që thonë e luten që Shqipëria të dështojë. Shqipëria duhet të jetë dhe do jetë anëtare e BE-së. Ne duhet të nisim përgatitjen që të ketë kandidatët e vetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029. Raporteri Schider e konsideroi Shqipërinë si vendi me i avancuar, pararojë nëse do i referohesha fjalës fiks, lokomotivë nëse e doni, se pashë pasthirrma pas fjalës time. Ka rregull parlamentar në Britani, kur deputeti që bën pyetjen nuk ndodhet në sallë, ministri nuk i përgjigjet asaj pyetje. Duro mo djalë…! Dhe rregulli është për të gjithë Parlamenti, pra nëse deputeti nuk është në sallë, ministri nuk është i detyruar të përgjigjet”, përfundoi deputeti socialist.