AKTUALITET, 22 Maj 2026, 11:12

Axhenda/ Vizita zyrtare e Ministrit të Mbrojtjes të Greqisë, Dendias, në Tiranë këtë të hënë, më 25 maj

Axhenda/ Vizita zyrtare e Ministrit të Mbrojtjes të Greqisë,

Burime diplomatike për Klan News bëjnë me dije se ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë këtë të hënë, më 25 maj.

Gjatë qëndrimit në kryeqytet, Dendias pritet të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Rama, si edhe me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Ermal Nufi.

Lajmi për vizitën e tij u raportua edhe nga mediat greke një ditë më parë, të cilat shkruanin se Dendias do të udhëtonte drejt Tiranës javën e ardhshme në kuadër të diskutimeve për çështjen e kufirit detar mes dy vendeve.

Sipas një artikulli të publikuar nga media greke “To Vima”, Athina synon të intensifikojë përpjekjet për ringjalljen e negociatave me Shqipërinë për përcaktimin e zonave detare.

Në artikull thuhet se objektivi kryesor i vizitës së Dendias është rifillimi i një iniciative dypalëshe, e dakordësuar fillimisht në tetor të vitit 2020, kur të dy vendet shprehën gatishmërinë për t’ia referuar mosmarrëveshjen për kufirin detar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

“Athina dhe Tirana po kërkojnë të përfitojnë nga ajo që zyrtarët grekë e përshkruajnë si një fazë pozitive në marrëdhëniet dypalëshe. Përpjekja vjen pas një vizite të kohëve të fundit të Ramës në Greqi dhe brenda kuadrit më të gjerë të mbështetjes së Greqisë për përshpejtimin e procesit të pranimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor”, shkruan media greke.

Në artikull thuhet se në qendër të diskutimeve është përgatitja e një marrëveshjeje formale që do t’u lejonte të dy vendeve t’ia paraqisnin mosmarrëveshjen e tyre mbi shelfin kontinental dhe Zonën Ekonomike Ekskluzive (EEZ) gjykimit ndërkombëtar