AKTUALITET, 10 Prill 2024, 18:49

Arrestimi i drejtorit të IT në Policinë e Shtetit, Salianji: Truk për të mos dhënë llogari në Komisionin Hetimor parlamentar

Arrestimi i drejtorit të IT në Policinë e Shtetit, Salianji: Truk

Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, në një fjalim përpara demokratëve në Rrëshen ka komentuar ndër të tjera edhe arrestimin e drejtorit të IT në Policinë e Shtetit, që ndërhyri në sistemin TIMS, Ervin Muçën.

Salianji theksoi se uron që arrestimi dhe më pas vënia në arrest shtëpie e Muçës mos të jetë thjesht për truk, për të mos dhënë më tej llogari në Komisionin Hetimor parlamentar për sistemin TIMS. Ai shtoi se gjithsesi opozita do të vijojë me denoncime për aferat e shumta të qeverisë.

“OSBE ODIHR e ka thënë se zgjedhjet janë manipuluar. Opozita po fiton sot përditë e më shumë terren, tek zëri ynë në parlament, tek zëri i përfaqësuesve të PD në çdo cep të Shqipërisë. Puna po sjell transparencë dhe po ia heq një e nga një qeverisë. Nuk ka ndërhyrje më të rëndë sesa të hysh në TIMS.

Arrestuan drejtorin e IT në Policinë e Shtetit. Shpresoj mos të jetë truk, që mos japin llogari në Komisionin Hetimor parlamentar. Edi Rama është drejtpërdrejtë i përfshirë në afera. Rama ka ndërtuar një sistem, që asetet shettërore të jenë në duar të individëve të dyshimtë. E vetmja rrugë që kemi është që të përballemi me këtë regjim. Nëse kemi bashkim, betejë e cilësi, rezultati do të vijë. Fitore e suksese në zgjedhjet e 2025”, deklaroi Salianji.