TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

27-vjeçari shqiptar Ardi Balliu po lufton për jetën në një spital në Spanjë, pasi pësoi një dëmtim të rëndë në shtyllën kurrizore gjatë një zhytjeje në det kur ishte me pushime.
Ardi Balliu jetonte dhe punonte në Northampton të Mbretërisë së Bashkuar, por aksidenti gjatë pushimeve e dëmtoi.
Ai u aksidentua në plazhin Caló des Moro, në ishullin e Majorkës, kur u hodh me kokë në ujë dhe nuk doli më në sipërfaqe. Miku që e shoqëronte kërkoi menjëherë ndihmë, ndërsa pushues të tjerë arritën ta nxirrnin nga deti dhe ta transportonin në breg, përpara se ai të dërgohej me helikopter mjekësor në spital.
Sipas familjarëve, i riu ka pësuar një thyerje të rëndë në vertebrën C1 dhe në disa pjesë të tjera të shtyllës kurrizore. Ai ndodhet në terapi intensive, i lidhur me aparatura, pasi nuk është në gjendje të marrë frymë vetë. Mjekët kanë paralajmëruar se ka shumë gjasa që ai të mbetet i paralizuar përgjithmonë.
Kushërira e tij, Ingrid Kaca, tha se gjendja e Ardit mbetet kritike dhe se ende nuk mund të kryhet ndërhyrja kirurgjikale, pasi mjekët po presin të vlerësojnë nëse ai do të jetë në gjendje të marrë frymë pa mbështetje me aparatura.
Mirror shkruan se pas aksidentit, familjarë dhe miq kanë udhëtuar drejt Spanjës për të qenë pranë tij, ndërsa është hapur edhe një fushatë në platformën GoFundMe për të mbledhur fondet e nevojshme për ta dërguar të riun, për kurim.
“Ai është një individ i mrekullueshëm dhe i dashur – një mik mbështetës dhe anëtar i familjes. Ardit i pëlqen të udhëtojë dhe të eksplorojë vende të ndryshme dhe i pëlqen të argëtohet. Ai është shpirti i festës, i pëlqen fitnesi i tij dhe është një person kaq i kujdesshëm dhe i sinqertë. Jemi shumë të shqetësuar dhe me zemër të thyer”, tha kushërira e tij.
Fushata e GoFundMe për Ardi Balliun: https://www.gofundme.com/f/support-ardi-and-his-family-during-this-medical-battle
