AKTUALITET, 11 Prill 2024, 18:03

Andoni: Me mbrojtjen e Veliajt, mandati i Ramës po korruptohet shumë

Andoni: Me mbrojtjen e Veliajt, mandati i Ramës po korruptohet shumë

Analisti Ben Andoni ka komentuar debatin kryesor në seancën e sotme parlamentare për mandatin e deputetes së PS-së, ish-ministres Olta Xhaçka

Sipas Andonit, kur Xhaçka është kaq e bindur që gjithë procedurat i ka në rregull, atëherë ajo vullnetarisht duhet të kërkonte që t’i hiqej mandati dhe t’i lihet drejtësisë që të veprojë. Ai deklaroi se në momentin kur nuk do të përballesh krijon ngërçe të tilla në parlament.

“Kauza e zonjës Xhaçka nuk mund të jepet nga Partia Socialiste, pasi është goditje jashtëzakonisht e madhe. Zotit Ahmetaj iu dha goditja se filloi ti bënte karshillëk qeverisjes socialiste, ndërsa Xhaçka jo vetëm është e bindur. Lëshimi i Xhaçkës është goditje e madhe për Partinë Socialiste. Në parlamentin tonë diskutohet për mandatin e një deputeteje që nuk do të përballet me drejtësinë. Si mund të ndihet një qytetar i thjeshtë kur drejtësinë nuk e përballin zyrtarët që bëjnë ligjet. Nëse je kaq i sigurt dhe i drejtë, atëherë përballu me drejtësinë, çfarë problemi ka. Përballja me drejtësinë shpëton dhe kolegët e tu dhe u jep kreditë socialistëve në kauzën e tyre. Publiku shqiptar nuk po do të orientohet më nga vonesa e gjykimeve nga SPAK në GJKKO dhe hapen kauza njëra pas tjetrës, pafund.” – tha Andoni, në një lidhje skype për MCN.

Sa i takon protestës së opozitës para bashkisë Tiranë pas aferës “5D” dhe paralajmërimin për mosbindje civile, Andoni shtoi se nuk beson se protestat do e detyrojnë Erion Veliajn që të japë dorëheqje. Sipas tij, opozita deri tani e ka lënë topin te drejtësia dhe se drejtësia duhet të arrijë të kuptojë që ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme në vend. Ai e konsideroi aferën “5D” si një nga skandalet më të mëdhaja, ku sipas tij, në një vend si Shqipëria është më tepër sesa krim. Ben Andoni shtoi më tej se me mbrojtjen që Rama i bëri Veliajt, mandati i tij po korruptohet jashtëzakonisht më shumë.

“Duhet të jetë më e shpejtë me gjithë procesin që ka ndodhur me gjithë procesin e dosjes së drejtorëve, e cila për mua është një nga skandalet më të mëdha që s’mund të fshihet askush. Opozita po e shfrytëzon mirë për interesat e saj. Nëse në Shqipëri krijohen precedentë të tillë korrupsioni, krijohen precedentë si e si të fitosh më shumë, në një prej vendeve më të varfra në Europë, është më tepër se krim. Besoj se protesta e opozitës do vazhdojë, si mënyra më e mirë e opozitës për tu shprehur. Unë uroj që opozita të shkojë sa më thellë në akuzat e saj. Se nëse nuk do ishin akuzat e tyre nuk do kishim përballjen me drejtësinë të drejtorëve të bashkisë. Është një risk shumë i madh që mori zoti Rama me mbrojtjen e Veliajt, besoj se mandati i tij po korruptohet jashtëzakonisht me të tilla qëndrime. Ne jemi një pushtet kryeministror dhe kryeministrit i duhet të mbledhë sukseset e institucioneve që ta ketë si aset për të kërkuar mandatit tjetër. Se mandati i Ramës përkthehet në benefite dhe poste të njerëzve pranë tij. Është humbje kreditesh shumë të mëdha në momentin që i del për zot një momenti të tillë. Ne kemi parë në demokracitë më të përparuara se përgjegjësia është shumë institucionale, por nëse njerëzit e institucionit bëjnë korrupsion, përgjegjësia morale është e jotja dhe këtë socialistët e kanë harruar. Rama po sakrifikon kreditet e veta, pasi me fuqinë që ka Veliaj e ndihmon në qarkun më të vështirë që ka vendi, Tirana. Sakrifica do të duket në vitin 2025 ia ka vlejtur ose jo.” – tha Ben Andoni.