AKTUALITET, 8 Shkurt 2024, 22:09

Andi Tela: Opozita duhet të bashkohet rreth një njeriu jashtë Berishës, Bashës, Mediut apo Bardhit

Andi Tela: Opozita duhet të bashkohet rreth një njeriu jashtë

Gazetari Andi Tela, duke komentuar gjendjen e opozitës pas zgjedhjeve të vitit 2021, u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se ajo duhet të shkojë drejt një zgjidhjeje artificiale, grumbullimi i opozitës rreth një njeriu që nuk do të jetë asnjëri prej liderëve të sotëm, si e vetmja që mund të bashkojë opozitën, për të marrë maksimumin e mundshëm përballë humbjes ndaj kësaj maxhorance.

“Ajo që ka ndodhur pas prillit 2021 vetëm e ka përçarë opozitën dhe sot janë disa segmente të opozitës dhe ne sot ne presim zgjidhje artificiale. Një zgjidhje normale me Edi Ramën kryeministër nuk ka. Çdo njeri normal mendon se PS i fiton zgjedhjet në 2025. Nëse PS merr 84 mandate e sipër do të bëjë çdo gjë në këtë vend. Apo do të ndodhë që opozita do të bëhet bllokadë për të mos u arritur këto numra.

Do të duhet zgjidhje artificiale, grumbullimi i opozitës rreth një njeriu që nuk do të jetë as Sali Berisha, as Lulzim Basha, as Fatmir Mediu as Gazment Bardhi, por një njeri jashtë këtyre. Është një zgjidhje utopike, por e vetmja që mund të bashkojë opozitën, për të marrë maksimumin e mundshëm përballë humbjes ndaj kësaj maxhorance.

Ne këtë bisedë e kemi nisur që në tetor dhe çdo javë kemi të njëjtin film, pavarësisht të gjitha të drejtave që ka opozita. Edhe 20 shkurti do të jetë protesta e parë pas vitit 2013 që s’do të ketë protagonistë as Berishën, as Bashën dhe është një moment i kërkuar prej kohësh, sepse sa herë dalin këta të PD-së, gazetarët i pyesin, kur do ta bënin protestën.

Do të kalojë kjo datë dhe do të vazhdojë prapë me të njëjtën formë. Por nuk është kjo mënyra për të përballur këtë regjim”-tha Tela.