AKTUALITET, 21 Shkurt 2024, 11:20

Amnistia Penale kërkon 84 vota, Basha: PD nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme

Amnistia Penale kërkon 84 vota, Basha: PD nuk do të marrë

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një konferencë për mediat tha se amnistia penale është një skandal kombëtar. Ai tha se qeveria e Edi Ramës propozoi lirimin e zyrtarëve të dënuar apo nën hetim.

“Amnistia Penale bëhet për të amnistuar zyrtarët e tij të korruptuar. Ata që i dënon gjykata, i liron qeveria me votat në parlament. Nuk është hera e parë që Rama ndërhyn tek drejtësia. Është ankuar se BKH po ndërhyn tek zyrtarët e tij. Edi Rama është bërë pishman për reformën në drejtësi. Tani që SPAK po vepron, ai po bën gjithçka për të mbrojtur zyrtarët e lartë qeveritarë të korruptuar.

Po përdor amnistinë, që të amnistojë njerëzit e tij të korruptuar, ndërsa refuzon që të amnistojë njerëzit që protestojnë ose që mbrojnë pronat e tyre. Rama dhe qeveria e tij e korruptuar kanë frikë nga drejtësia. PD inkurajon SPAK, BKH, që të vazhdojë punën, të hetojë dhe të çojë para ligjit, të gjithë zyrtarët e korruptuar”, tha Basha.

Ligji për amnistinë penale pritet që të votohet gjatë ditës së nesërme. Për miratimin e këtij ligji duhen së paku 84 vota. Por Basha ka deklaruar se PD nuk do të marrë nesër pjesë në seancën parlamentare kur do të votohet edhe ligji për Amnistinë Penale.

Ai ka shtuar se një ligj i tillë po përdoret nga mazhoranca me qëllim amnistimin e zyrtarëve të dënuar apo janë nën hetim.

“PD nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare, është pritshmëria jonë që askush të mos bëhet patericë e këtij akti kriminal e korruptiv që synon lirimin e zyrtarëve të korruptuar. Kjo është përpjekja më skandaloze në 33 vite për të nxjerrë nga përgjegjësia penale zyrtarët e korruptuar”, tha ai.