AKTUALITET, 18 Maj 2026, 12:48

Ambasadori i OSBE kritikon situatën në Shqipëri: Nevojitet më shumë transparencë dhe pavarësi editoriale. Liria e medias kërkon më shumë angazhim

Ambasadori i OSBE kritikon situatën në Shqipëri: Nevojitet

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, deklaroi se Shqipëria ka bërë disa zhvillime inkurajuese dhe pozitive në drejtim të mbrojtjes së gazetarëve dhe përmirësimit të kuadrit mediatik, por theksoi se liria e medias vijon të përballet me sfida që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm.

Në konferencën rajonale për median në Evropën Juglindore, të zhvilluar në Tiranë, Tarran përmendi si zhvillim pozitiv krijimin e pikës së kontaktit në Policinë e Shtetit për sigurinë e gazetarëve, si dhe ndryshimet ligjore që lidhen me mbrojtjen e profesionistëve të medias.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka krijuar një pikë kontakti për sigurinë e gazetarëve, e cila, së bashku me disa ndryshime ligjore, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes së profesionistëve të medias. Do të nxisja vijimin e vëmendjes së afërt, së bashku me autoritetet përkatëse, për të garantuar ndjekje të shpejtë dhe efektive të të gjitha rasteve që prekin gazetarët”, deklaroi ai.

Ambasadori i OSBE-së tha se janë ndërmarrë hapa edhe për përafrimin e mjedisit mediatik me standardet ndërkombëtare dhe rritjen e transparencës mbi pronësinë e mediave.

“Janë ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt përafrimit të mjedisit mediatik dhe informativ me standardet ndërkombëtare, përfshirë përpjekjet për përmirësimin e kuadrit rregullator dhe adresimin e sfidave të kahershme të qeverisjes. Në këtë kontekst, kërkesat për transparencën e pronësisë së medias janë forcuar dhe kam besim se Autoriteti i Mediave Audiovizive do t’i zbatojë këto dispozita në frymën me të cilën janë miratuar.”, u shpreh Tarran.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e komunitetit mediatik në vend, duke theksuar se gazetarët duhet të përfshihen në mënyrë domethënëse në debatet publike dhe proceset vendimmarrëse.

“Komuniteti mediatik në Shqipëri, ndonëse jo i madh në numër, është i mirinformuar, aktiv dhe luan një rol jetik në debatin publik . Prandaj, është thelbësore që zërat e tyre të vazhdojnë të dëgjohen, të përfshihen dhe të marrin pjesë në mënyrë domethënëse në diskutimet për politikat”, tha ai.
Një tjetër element që OSBE e konsideron të rëndësishëm është edukimi mediatik në shkolla. Prandaj, kjo është arsyeja, sipas Tarran përse prezenca e OSBE-së mbështet aktivisht  objektivin e Shqipërise për integrimin e edukimit mediatik dhe informativ në kurrikulat zyrtare. Megjithatë, ambasadori theksoi se sfidat për lirinë e medias mbeten të pranishme.

“Megjithëse këto zhvillime janë inkurajuese, sfidat ndaj lirisë së medias në Shqipëri mbeten dhe kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.  Përfshihen shqetësimet për sigurinë e gazetarëve, presionet ekonomike që ndikojnë te qëndrueshmëria e mediave të pavarura, intimidimet online dhe fushatat e dezinformimit. Nevojiten më shumë përpjekje për transparencën, pavarësinë editoriale dhe zbatimin konsistent të mbrojtjeve ligjore duke u siguruar që gazetarët të punojnë në kushtet më të larta etike”, deklaroi ai.
Sipas tij, nevojiten më shumë përpjekje për të garantuar transparencë dhe pavarësi editoriale.

“Nevojiten, gjithashtu, përpjekje të mëtejshme për të forcuar transparencën, pavarësinë editoriale dhe zbatimin e qëndrueshëm të mbrojtjeve ligjore, duke mbështetur njëkohësisht kushte që u mundësojnë gazetarëve të respektojnë standardet më të larta profesionale, etike dhe të raportimit të paanshëm”, u shpreh ambasadori i OSBE-së.
Në pjesën tjetër të fjalës së tij, Tarran foli për sfidat më të gjera që po përball media në rajon dhe Evropë, duke paralajmëruar për ndikimin e dezinformimit dhe manipulimit të informacionit.

“Hapësirat publike të informacionit në Evropë dhe më gjerë po transformohen me shpejtësi dhe në mënyrë të thellë. Vendet ku qytetarët dikur mblidheshin rreth një grupi relativisht të përbashkët faktesh po fragmentohen në mijëra realitete paralele, të nxitura nga algoritmet, të përshpejtuara nga inteligjenca artificiale dhe gjithnjë e më të cenueshme nga manipulimi”, deklaroi ai.
Sipas ambasadorit, rënia e besimit tek institucionet, sulmet ndaj gazetarëve dhe pasiguria mbi informacionin janë sfida që po prekin të gjithë rajonin e OSBE-së.

“Prezenca do të vazhdojë të punojë për një mjedis mediatik më të fortë dhe pres me interes dy ditët në vijim si një mundësi për t’u përqendruar tek gjërat që funksionojnë, për të mësuar nga përvojat e njëri-tjetrit dhe për t’i kthyer sfidat e përbashkëta në zgjidhje të përbashkëta në mbështetje të lirisë më të madhe të medias në rajonin tonë “tha Tarran në fjalën e tij.