AKTUALITET, 11 Korrik 2026, 11:58

AMA godet një tjetër platformë pirate, “shqiperia.dev” bëhet e paarritshme pas raportimit zyrtar

AMA godet një tjetër platformë pirate,

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) ka njoftuar një tjetër goditje ndaj piraterisë online, duke bërë të ditur se platforma e paligjshme “shqiperia.dev”, e cila ritransmetonte pa autorizim përmbajtje të operatorëve të licencuar në Shqipëri, është bërë e paarritshme.

Lajmi është bërë publik nga drejtoresha e AMA-s, Armela Krasniqi, përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas saj, platforma u raportua zyrtarisht nga AMA për shkelje të të drejtave të transmetimit, ndërsa kompania Cloudflare reagoi menjëherë duke konfirmuar ankesën dhe duke identifikuar ofruesit e shërbimit të hostimit që mbështesnin funksionimin e faqes.

Krasniqi thekson se si rezultat i këtij bashkëpunimi, faqja aktualisht nuk është më e aksesueshme dhe se AMA do të vijojë monitorimin dhe raportimin e çdo platforme të dyshuar për pirateri, me synim mbrojtjen e operatorëve të licencuar dhe të drejtave mbi produktin audioviziv.

“Një tjetër pirat merr dënimin e merituar!

Platforma e paligjshme shqiperia.dev, e cila ritransmetonte pa autorizim DigitAlb, Tring dhe operatorë të tjerë me licencë kombëtare, u raportua zyrtarisht nga AMA.

Cloudflare u përgjigj menjëherë duke konfirmuar ankesën dhe duke zbuluar ofruesit e hosting-ut përgjegjës për infrastrukturën e sit-it! Si rezultat, platforma aktualisht është e paarritshme!

AMA vazhdon të monitorojë dhe raportojë çdo platformë të dyshuar për pirateri të produktit audioviziv, në mbrojtje të operatorëve të licencuar dhe publikut”, shkruan Krasniqi.