AKTUALITET, 10 Shkurt 2025, 00:57

Albin Kurti shpall fitoren, nis festa në Prishtinë: Populli i Kosovës ka mundur Serbinë dhe Klan Serbinë!

Albin Kurti shpall fitoren, nis festa në Prishtinë: Populli i

 

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij dhe koalicioni me “Guxo” e “Alternativa” janë fituese të zgjedhjeve.

Ai para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deklaroi se procesi zgjedhor ishte demokratik e paqësor, duke shtuar se i falënderon autoritetet për angazhimin.

“Procesi zgjedhor ka qenë proces demokratik, i cili nuk ka pasur incidente. E falënderoj edhe policinë edhe mekanizmat, por kështu ndodh kur është Qeveria jonë. Kur ekzekutivi jemi ne, s'ka incidente e procesi demokratik është cilësor, i vërtetë,  i lirë i ndershëm”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se asnjëherë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie, ndërsa ndaj opozitës përdori termin “hajvan”. 

“E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit...Kurrë s'është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie. Me oligarkë që japin para pa hesap, e me opozitë që bëjnë marrëveshje edhe me dreqin kundër qeverisë sonë. Edhe prapë se prapë kanë humbur, kanë me mbet opozitë sepse nuk ia duan të mirën as shtetit e as popullit”, ka deklaruar Kurti.

Kurti deklaroi se populli i Kosovës ka mundur edhe Serbinë dhe Klan Serbinë. 

"Ajo që dihet nga rezultatet preliminare është se, edhe pse PDK-ja dhe LDK-ja mund të bashkohen, nuk mund të bashkohen ashtu si Lëvizja Vetëvendosje. Rezultatet preliminare kanë treguar diçka shumë të vlefshme dhe të rëndësishme për politikën dhe historinë: populli i Kosovës, më 9 shkurt 2025, ka mundur si Serbinë, ashtu edhe Klan Serbinë”, ka thënë Kurti.