AKTUALITET, 23 Prill 2024, 14:22

Afera 5D/ Këlliçi thirrje SPAK: Të bllokohen dhe sekuestrohen asetet dhe llogaritë bankare të kompanisë

Afera 5D/ Këlliçi thirrje SPAK: Të bllokohen dhe sekuestrohen

Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi në një deklaratë për mediat është shprehur se pas fakteve dhe provave që janë publikuar dhe denoncuar ditë pas dite në lidhje me aferën 5D ende nuk janë bllokuar dhe sekuestruar asetet  dhe llogaritë bankare të kompanisë 5D.

Këlliçi i ka bërë thirrje SPAK-ut të bllokojë dhe sekuestrojë të gjitha asetet dhe llogaritë bankare të kompanisë të 5 drejtorëve.

Deklarata e plotë:                                                                                 

Nga kjo foltore, prej më shumë se 7 muajsh kam bërë publike dokumentacionin që e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë Erion Veliajn me inceneratorin e Tiranës.

Nga kjo foltore kam publikuar komunikime telefonike dhe e-maile që lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë Erion Veliajn me inceneratorin e Tiranës.

Nga kjo foltore kam bërë publike shkresën e zv/ Kryeministres Belinda Balluku, që e shkruante e zezë mbi të bardhë se Erion Veliaj është përgjegjës direkt për bllokimin e Njësisë së Zbatimit të Projektit, për të cilën do të mbante ai përgjegjësi për dëmin që po i shkaktonte palës shtet.

Nga kjo foltore u kam dërguar prokurorëve të SPAK intervistën e ish zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj, ku e akuzonte direkt Erion Veliajn se është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës.

Ndërkohë, këto 4 javë kemi patur mundësi të lexojmë të gjithë dosjen e kompanisë 5D, ku punonjëset shprehen hapur se pronar në hotelin e kësaj kompanie është “LALI”, e “lal” të vetëshpallur veç një ka në Shqipëri, ai është Erion Veliaj.

I rendita të gjitha këto fakte pasi ende sot nga SPAK nuk ka asnjë veprim për të sekuestruar asetet dhe paratë e kompanisë së Inceneratorit te Tiranës, por me flagrant është fakti se ende pas 1 muaji nuk kemi asnjë bllokim të aseteve të kompanisë së 5 Drejtorëve.

Administratori Nestor Muhametllari është i lirë dhe asetet e llogaritë bankare vazhdojnë të jenë të pa sekuestruara.

E gjitha kjo është një drejtësi me regji, ku arrestojmë disa drejtorë që mbajnë burgun për shefin dhe paratë e pronarit faktit Erion Veliaj, nuk guxojnë të preken.

I bëjmë thirrje SPAK, se hetime boshe për të arrestuar disa drejtorë, hajdutë banalë që i kanë shërbyer shefit, për të vjedhur dhjetëra e qindra miliona euro, NUK QUHEN DREJTËSI.

Sot, jo nesër, por SOT, duhet të bllokohen të gjitha asetet e kompanisë 5D, Redi Mollës, Mariglen Qatos, Nestor Muhametllarit dhe çdo individi tjetër të përfshirë, duke mos harruar njëlloj si në dosjen e inceneratorëve, Kreun e Grupit të Strukturuar Kriminal 5D, Erion Veliajn.