TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia e Kurbinit ka zbardhur detaje nga atentati me armë që ndodhi mbrëmë në këtë qytet, ku shënjestër e sulmit mbeti 40-vjeçari Ilir Gjini. Gjini kishte dhe tre mbiemra të tjerë, alias Lika, alias Kokaj, alias Nure.
"Rreth orës 22:10, në qytetin e Kurbinit, është qëlluar me armë zjarri ndaj shtetasit I.Gj alias I. L., alias I.K, alias I. N, rreth 40 vjeç. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por ka humbur jetën gjatë transportimit.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
Ndërkohë, është ngritur grupi i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve"- njoftoi policia.
Policia ka arritur të identifikojë autorin e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ai është shtetasi Emiljan Suti, i cili është shpallur menjëherë në kërkim.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se viktima është ndjekur hap pas hapi. Ilir Lika sapo kishte parkuar automjetin e tij dhe kishte zbritur për t’u drejtuar drejt banesës, kur është përballur me autorin që po e priste.
Viktima ka marrë të paktën 7 plumba në pjesë të ndryshme të trupit, të cilët i shkaktuan plagë të rënda dhe fatale.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka ngritur disa pista për zbardhjen e motiveve të krimit, por ajo kryesorja ku po përqendrohen lidhet me konflikte të vjetra që viktima dyshohet se ka pasur jashtë shtetit.