AKTUALITET, 2 Qershor 2026, 19:22

“35 vite fytyra e ngrysur”/ Rama batuta për Gramoz Ruçin: Asnjë nuk e arrin dot atë që ai ka bërë, është kryepatronazhisti i partisë

“35 vite fytyra e ngrysur”/ Rama batuta për Gramoz

Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama vlerësoi figurat historike që kanë kontribuar në forcimin dhe organizimin e kësaj force politike ndër vite. Gjatë fjalës së tij, Rama ndaloi veçanërisht te roli i Gramoz Ruçit, për të cilin tha se ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në jetën dhe sukseset e PS-së, duke e cilësuar atë si “kryepatronazhistin” e partisë.

“Nuk dua t’ju mbaj gjatë. E hoqa fjalimin, e hoqa foltoren. Jam këtu për të thënë disa fjalë. Dua ta nis me frymëzimin që më dha dalja e Gramozit (Ruçit) këtu, që më kujtoi një fjalë të legjendarit Fate Velaj, i cili kur u bë deputet i PS, pas ca kohësh tha: ‘Çfarë misteri është me këtë njeri? 35 vite në maj, 35 vite me fytyrën e ngrysur’. I thashë unë: ‘Si e shpjegon ti?’ ‘Duhet të jetë profesion më vete, se ne nuk na ndjek njeri nga mbrapa siç ndjekin këtë’, tha.

Unë dua të shtoj më shumë, sepse nuk është vetëm i ngrysur. 35 vjet, Facebook jo, Instagram jo, TikTok jo e jo. Qëkur ka dalë telefoni celular, akoma s’ka bërë një SMS tani që flasim. I punon telefoni vetëm në marrjen e SMS-ve. Plus kësaj, 35 vite, intervista në media ka dhënë 3 vite e gjysmë. Kjo e ka shpjegimin te telefoni, se askush nga ne nuk ka të gjitha kontaktet që ka Gramozi, nga veriu në jug, nga ditët para themelimit, pas themelimit, gjatë themelimit.

Asnjë nuk e arrin dot atë që Gramozi ka bërë dhe vazhdon të bëjë edhe sot, që jo vetëm i përgjigjet çdo njeriu, jo me SMS, është kuadër i vjetër, mos lër gjurmë, por me telefon një për një, ata shkruajnë, ai përgjigjet. Po të mbledhësh rrugët e Gramozit për vaki, për ngushëllime e për dasma, e për pagëzime, janë të panumërta.

Pra, ajo që Fate Velaj nuk e kuptonte dot dhe shumëkush që nuk e kuptojnë si funksionon Gramozi, është fakti që Gramozi është kryepatronazhisti i PS. E kam thënë përpara dhe e përsëris sot, unë çmoj punën e të gjithëve, por mbi të gjitha çmoj punën e patronazhistëve”, tha ndër të tjera Rama.