AKTUALITET, 28 Maj 2026, 10:42

"Opozita u rrah barbarisht", rrëfimi i Braçes për 30-vjetorin e masakrës zgjedhore të '96: U rrethua selia e PS me urdhër të Berishës, protestuesit tërhiqeshin zvarrë në mes të sheshit

"Opozita u rrah barbarisht", rrëfimi i Braçes për

Deputeti socialist Erion Braçe sjell një rrëfim të gjatë në 30-vjetorin e masakrës zgjedhore të 26 majit 1996, duke risjellë në vëmendje dhunën brutale të ushtruar ndaj opozitës socialiste asaj kohe, me urdhër të Presidentit Sali Berisha. Zgjedhjet e 26 majit janë një nga njollat e zeza në historinë postkomuniste të Shqipërisë, të cilat janë cilësuar si një masakër zgjedhore, me manipulime nga PD-ja dhe dhuna dhe terrori i ushtruar nga policia dhe SHIK-u.

Braçe rrëfen se protesta e 28 majit nisi që në orët e para të mëngjesit me rrethimin e selisë së Partisë Socialiste nga policia. Ai kujton se shumë mbështetës të opozitës kishin kaluar natën brenda godinës nga frika se nuk do të lejoheshin të dilnin drejt Sheshit “Skënderbej”.

Braçe thotë se ndonëse policia tentoi të izolonte selinë e PS-së, qytetarë të shumtë u mblodhën nga rrugë të ndryshme të Tiranës, thyen kordonin policor dhe dolën në shesh për të protestuar kundër procesit zgjedhor. Por, imazhet e asaj kohe tregojnë se si protestuesit tërhiqeshin zvarre protestuesit dhe shumë prej tyre rrahën pas shoqërimit në polici.

“30 vite larg nga dhuna më barbare e ushtruar ndonjëherë nga qeveria në demokraci ndaj popullit të majtë, shqiptarëve të grabitur në zgjedhje! 28 maji erdhi pas 26 majit, jo numerikisht, por si dhunë mbi dhunë, gjak mbi gjak, pranga mbi pranga! Dita nisi me rrethimin e selisë së partisë më të madhe në vend. njerëzit ishin që një natë më parë brenda saj, me frikën se më 28 maj nuk do t’i linin të arrinin në sheshin “Skënderbej”, që ishte vetëm pak metra larg. Rrethimi nuk zgjati shumë. Nga çdo rrugë që të çon te selia e PS-së dhe sheshi “Skënderbej” po vinte një lumë i madh njerëzish. U mblodhën para e rreth PS-së dhe të gjithë bashkë thyen rrethimin, morën përpara policinë dhe dolën në shesh”, shkruan Braçe.

Ligjvënësi socialist akuzon Sali Berishën për manipulimin e zgjedhjeve dhe për urdhrin që protestuesit të mos lejoheshin të hynin në Sheshin “Skënderbej”.

“I marri që kishte urdhëruar vjedhjen e zgjedhjeve – 136 deputetë për vete e 10 deputetë për Partinë Socialiste, 0 për çdo parti tjetër, përfshi Fatmir Mediun dhe Abaz Ermenjin – kishte urdhëruar që askush të mos dilte nga selia e PS-së, por mbi të gjitha të mos shkelte kush në sheshin “Skënderbej”, vijon ai.
Në postimin e gjatë në rrjetet sociale, Braçe e vijon rrëfimin e tij me skenar e rënda të dhunës në qendër të Tiranës dhe në sy të ndërkombëtarëve. Barçe shkruan se protestuesit u goditën barbarisht nga policia me shkopinj, u tërhoqën zvarrë në rrugë pre flokësh dhe u ndoqën në disa zona të kryeqytetit.

“Aty ndodhi pastaj gjithçka. Unë nuk kam parë kund dhunë më të egër të qeverisë ndaj një populli deri më 21 janar 2011. U rrah barbarisht çdokush që hyri në shesh, u shtri përdhe e u tërhoq zvarrë prej flokësh, u ndoq cilido që ishte pranë sheshit të rrahjes. Policë me hunj, jo shkopinj gome, por hunj si bisht lopate, deri te treni në veri, te Zogu i Zi në perëndim, te “21 Dhjetori”, te “Vasil Shanto” në jugperëndim, matanë qytetit studenti në juglindje dhe matanë pazarit të ri në lindje. Qëllonin në rrugë, hynin në dyqane dhe godisnin këdo, edhe gra. Nuk kam parë kurrë në jetën time më shumë fytyra me gjak. Kjo ishte”, shkruan Braçe.
Urdhëruesi i kësaj dhunë barbare është ende në politikë, shkruan Braçe, duke thënë se madje Sali Berisha u rizgjodh sërish në krye të partisë si monumenti i gjallë i dhunës.

“Cilido që më thotë sot “po ç’i ke këto”, djathtas por edhe majtas, nga këta që kanë rrugëtimin e tyre, do të doja ta kishte jetuar, qoftë edhe ai fëmija i gjyshit, gjyshes, babait apo nënës që u rrah barbarisht dhe u kthye atë ditë në shtëpi me gjak në fytyrë e në rroba, apo më keq pas tri ditësh, një jave e më shumë, kur doli nga qelitë ku barbaria vazhdoi. Kohët kanë ndryshuar, asnjë s’dallohet më. Thjesht autorët e asaj barbarie janë po aty, të njëjtët. Madje njëri, urdhëruesi, u zgjodh të jetë përsëri si monumenti i gjallë i dhunës. Shqipëria ecën, përparon, ai jo”, shkruan Braçe.

"Opozita u rrah barbarisht", rrëfimi i Braçes për