AKTUALITET, 25 Janar 2023, 11:42

14 maji/ PD firmos koalicion parazgjedhor me PBDNJ-në. Zbardhet marrëveshja e nënshkruar nga Berisha e Dule

14 maji/ PD firmos koalicion parazgjedhor me PBDNJ-në. Zbardhet

Pak muaj para zgjedhjeve lokale të 14 majit, PD firmosi koalicion me Partinë për Bashkimin e të Drejtave të Njeriut.

Koalicioni parazgjedhor u firmos këtë të mërkurë, 25 janar, mes kreut të PD Sali Berisha dhe kreut të PBDNJ Vangjel Dule.

Sipas marrëveshjes, Partia Demokratike dhe koalicioni i drejtuar prej saj do të mbështësë kandidatët për kryetar bashkie të propozuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në zonat zgjedhore Bashkitë Himarë, Dropull dhe Finiq.

Ndërsa PBDNJ do duhet të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të Partisë Demokratike dhe koalicionit të drejtuar prej saj, në të gjitha zonat e tjera zgjedhore, bashkitë e vendit përveç atyre ku do ketë kandidat PBDNJ.

MARRËVESHJE PËR ZGJEDHJET VENDORE TË 14 MAJIT 2023, NDËRMJET PARTISË DEMOKRATIKE DHE PARTISË BASHKIMI PËR TË DREJTAT E NJERIUT

Sot, me datë 25 janar 2023, ne, përfaqësuesit e Partisë Demokratike dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, firmosim marrëveshjen që vijon, pas konstatimit se Shqipëria është në momente kritike:

I. për shkak të korrupsionit shkatërrimtar;
II. të asgjësimit të pluralizmit politik në nivel vendor;
III. të shpopullimit masiv dhe tragjik;
IV. të krizës ekonomike, që po çon në kolaps vendin;
V. të qeverisjes së kapur peng nga trafiqet, paraja e pisët dhe korrupsioni.

Në këto kushte, Partia Demokratike e Shqipërisë dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (në vijim PBDNJ), dakordësohen që t’i ofrojnë Shqipërisë një alternativë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023, që përfaqëson vetëm interesat e qytetarëve dhe interesin më të lartë publik.

VENDOSIN:

1. Partia Demokratike e Shqipërisë dhe koalicioni i drejtuar prej saj do të mbështësë kandidatët për kryetar bashkie të propozuar nga Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në zonat zgjedhore Bashkitë Himarë, Dropull dhe Finiq.

Kandidatët përkatës do të konsiderohën kandidatë të koalicionit opozitar dhe do të përfaqësojnë alternativën e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 14. 05.2023 në të njëjtën mënyrë, formë dhe mbështetje me kandidatët e tjerë të kolaicionit të përzgjedhur nëpërmjet procesit të primareve të organizuara nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

2. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut angazhohet të mbështesë kandidatët për kryetar bashkie të Partisë Demokratike dhe koalicionit të drejtuar prej saj, në të gjitha zonat e tjera zgjedhore, bashkitë e vendit përveç atyre të përmendura në pikën 1.

3. Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, në të gjithë territorin e vendit, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.

4. Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve, gjelbërimit të qyteteve dhe zhvillimit të qëndrueshëm.