AKTUALITET, 7 Qershor 2026, 16:37

“Viktima nuk ka qëlluar me armë, u gjet 8 metra larg stallës”, zbulohet dosja e AMP-së për operacionin ku mbeti i vrarë Enea Mekolli

“Viktima nuk ka qëlluar me armë, u gjet 8 metra larg

Detaje të tjera dalin në dritë nga nga operacioni i policisë për kapjen e Violand Braçellarit dhe nga vrasja e oficerit të policisë Enea Mekolli.

Në dosjen që disponon Top Channel thuhet se Violand Braçellari u kallëzua nga çobani që familja kishte punësuar dhe ndaj policia hartoi plan operacional për arrestimin e të kërkuarit, dënuar në mungesë me 10 vjet burg.

“Ky plan operacional bazohej edhe në bazë të kallëzimit të bërë nga ana e shtetasit A. K., 32 vjeç, i cili kishte disa ditë që punonte si çoban në bagëtitë e shtetasit Violand Braçellari në malin e Bodesë dhe që sipas kallëzimit të bërë prej tij, ai ishte dhunuar dhe kanosur me qytë të një arme automatike nga ana e Violandit. Sipas tij Violandi qëndronte tek stallat e bagëtive dhe se dispononte armë automatik dhe një armë gjuetie.

Për këtë arsye në datën 04.06.2026, në mëngjes rreth orës 07.00 forcat e DVP Korçë të organizuara sipas planit të operacionit të hartuar janë afruar në Malin e Bodesë afër vendit ku ka stallat ky shtetas. Është bërë rrethimi i ndërtesave, pasi aty kishte disa ndërtesa. Pa u bërë mirë rrethimi nga ana e shtetasit Violand kanë filluar të shtënat në drejtim të punonjësve të policisë dhe për pasojë është vrarë me armë zjarri punonjësi i policisë Enea Mekolli dhe është plagosur punonjësi i policisë Edison Adri.

Shtetasi Violand Braçellari ka tentuar të largohet me vrap në drejtimin e poshtëm të stallave, por si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ishte plagosur dhe është kapur disa metra poshtë stallave. Në afërsi të vendit ku është kapur ky shtetas gjendej një armë automatike model 56, kalibri 7.62mm, e cila ishte e boshatisur dhe nuk kishte fishekë. Arma u konstatuar me qytën e vendosur, bajonetën në poziciconin e mbyllur, thuprën dhe një fragment material najloni, i cili imiton rripin e armës. Në një segment të tij, në një gjatësi 10 cm, litari paraqet një njollë me ngjyrë të kuqërremtë të ngjashme me atë të gjakut. Arma ka të vendosur një krëhër me kapacitet 30 fishekë, ku në pjesën e brendshme të tij paraqet një njollë me ngjyrë të kuqërremtë si ajo e gjakut. Leva e ndërrimit të llojit të zjarrit është në pozicionin e qitjes tek tek. Pasi është hequr krëhëri është konstatuar se në brendësi të tij nuk ka fishekë. Në krahun e majtë, në trupin metalik gjendet i stampuar numri 5617076736. Gjithashtu, në këtë vend janë gjetur dy njolla të kuqërremtë si ato të gjakut, nga të cilat janë marrë mostër për ekspertim biologjik. Po kështu nga kontrolli i vendit aty afër është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i dy gëzhojave model 56, kalibri 7.62mm, të cilat paraqisnin shenjën e gjilpërës së armës që e ka qitur atë dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Më tej, në afërsi të dy stallave me mur tulle të bagëtive është gjendur një bluzë me mëngë të shkurtra, me ngjyrë të bardhë, me dëmtime të shumta në trajtë grisje dhe njolla të kuqërremta si ato të gjakut. Gjithashtu, në vend në distancat e përcaktuara në këqyrje është konstatuar edhe një gëzhojë arme zjarri me karakteristikat e atyre të përshkuara më lartë. Në afërsi të stallës së dytë janë konstatuar edhe 3 gëzhoja arme zjarri, të ngjashme dhe karakteristika si ato më lartë me markeriim këto gëzhoja 539-k. Po aty në afërsi janë konstatuar edhe 3 gëzhoja të tjera arme zjarri, me karakteristika të ngjashme si ato më lartë.

Nga këqyrja në vendin e ngjarjes është konstatuar se kufoma e punonjësit të Policisë Enea Mekolli gjendet rreth 8 metra nga muri i stallës së fundit të bagëtive në tokë dhe nga këqyrja në vend është konstatuar se kishte dëmtime në pjesën e kokës, qafës, në vesh, në pjesën e gjoksit dhe në këmbë. Të gjitha këto dëmtime janë të ngjashme si ato të shkaktuara nga predhë arme zjarri. Ai paraqitej i veshur me uniformë policie dhe jelek antiplumb, i cili paraqiste një dëmtim në pjesën e gjoksit, si dhe në pjesën e shirit varës tek supat. Po kështu në trupin e viktimës është gjetur i mbështetur dhe arma automatike që kishte për operacionin, me krëhër me kapacitet 30 fishekë ku brenda tij gjendeshin 29 fishekë dhe një fishek gjendej në folenë e fishekut në automatik, gjë që tregon se ky shtetas nuk ka qëlluar me armë fare. Në vijim, kufoma është transportuar për në morgun e Spitalit Korçë, për këqyrje dhe ekzaminime më të hollësishme. Pas lëvizjes së kufomës, është konstatuar në pjesën që korrespondon me kokën një pellg me ngjyrë të kuqërremtë si ajo e gjakut me diametër 40 cm.

Në vazhdim të këqyrjes është konststuar se dritarja anësore e stallës së parë gjendej e hapur dhe rrjeta e telit të saj e shqyer dhe e varur në pjesën e jashtme, gjë që tregon se prej aty ka dalë personi. Që nga kjo anë e stallës, në cepin e përparmë të kësaj ane të stallës, në anën anësore të pasme dhe në anën anësore të stallës së dytë që ndodhet pothuajse ngjitur me të dhe në vazhdim të rrugës deri ku është kapur autori janë gjendur disa gëzhoja model 56, kalibri 7.62mm, të cilat sipas këqyrjes kanë pothuajse të gjitha të njëjtat numra markerimi dhe që dyshohet se janë qitur të gjitha nga e njëjta armë. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes në pjesën përpara stallës së parë nga poshtë në sheshin e mbuluar me mbetje të ndryshme si pleh, kashtë dhe mbeturina të tjera, janë gjendur gjithashtu shumë gëzhoja model 56, kalibri 7.62mm, të cilat janë të përqendruara më tepër në anën e majtë të stallës kur e sheh përballë nga jashtë dhe që korespondon me vendin ku kanë qënë të pozicionuar punonjësit e policisë.

Përpara kësaj stalle dhe pikërisht pothuajse përballë me një derë hyrëse që ka ajo, nga ana e poshtëme gjendet një armë automatike me tytë të gjatë model 56, kalibri 7.62mm, me krëhër me kapacitet mbajtës 30 fishekë dhe që në brendësi të tij janë gjendur 23 fishekë dhe një fishekë tjetër është gjendur në folenë e fishekut në armë, gjë që tregon se nga kjo armë është kryer qitje, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe që mendohet se i përket punonjësit të policisë të plagosur Edison Adri. Pikërisht në këtë vend është gjetur edhe një këmishë predhe armë zjarri me formë të çrregullt, me ngjyrë metal bakri, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Pak metra më tutje në anën e majtë të stallës kur e sheh përballë nga jashtë në tokë është gjetur një jelek antiplumb tjetër, i cili paraqitej pa dëmtime, por i ndotur masivisht me lëndë të kuqërremtë e ngjashme me gjakun, si dhe një radio dore policie edhe kjo e ndotur me gjak, të cilat i përkasin punonjësit të policisë të plagosur Edison Adri, edhe këto sende janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në vazhdim të këqyrjes në këtë anë janë gjendur dhe sekuestruar gëzhojat e fishekëve model 56, kalibri 7.62mm të gjendura në sipërfaqen e tokës, të cilat janë sekuestruar të gjitha në cilësinë e provës materaile. Në pjesën e pasme ana e majtë e stallës së parë dhe para murit të anës së majtë të stallës së dytë janë gjendur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja, ngjyrë metalike bronzi, kalibri 9 mm, me mbishkrim në pjesën fundore GECP 9mm LUGGER, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale në lidhje me ngjarjen. Në momentin e këqyrjes në anën e majtë kur e sheh përballë nga poshtë në tokë gjenden të vendosur gjithsej 5 armë zjarri me tytë të gjatë, si dhe 5 jelek antiplumb të ndotur me gjak dhe e baltë, të cilat janë armët e punonjësve të policisë që kanë marrë pjesë në këtë operacion dhe të gjitha këto armë dhe jelekët janë sekuestraur për t’ju nënshtruar ekspertimit balistik në lidhje me ngjarjen”, përmendet në dosje.

Në dosjen e AMP-së janë administruar dëshmitë e punonjësve të policisë që morën pjesë në operacionin ku mbeti i vrarë polici Enea Mekolli dhe u plagos efektivi Edison Adri.

Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, një nga dëshmitarët është edhe Ermir Sokoli, me detyrë inspektor pranë Forcës Operacionale “Shqiponja” në DVP Korçë. Në deklarimin e tij ai tregon se mbrëmjen e 3 qershorit 2026 është telefonuar nga kolegu Edison Adri, i cili e ka njoftuar se duhej të paraqiteshin në Drejtori në orën 04:00 të mëngjesit.

Sipas dëshmisë, pasi morën armatimin dhe pajisjet e nevojshme, efektivët u nisën drejt Komisariatit të Maliqit, ku u zhvillua instruktazhi për operacionin. Aty u bë e ditur se objektivi ishte Violant Braçellari, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë dhe i dyshuar se mbante armë.

Më pas forcat policore u zhvendosën në zonën e Lozhanit dhe u afruan pranë stallave ku dyshohej se ndodhej i kërkuari. Sipas Sokolit, grupi u nda në disa drejtime për të rrethuar zonën.

“Enea tha: ‘Ka lëvizje te stallat’. Menjëherë pas kësaj, Renato dhe Edisoni bënë thirrje: ‘Jemi policia, dorëzohu’, ‘Je i rrethuar’”, deklaron ai.

Efektivi shton se pak çaste më vonë dëgjoi breshëri armësh. Në kushtet e errësirës, ai hapi zjarr në drejtimin nga ku mendoi se po vinin të shtënat.

“Pashë kolegun tim Edison Adri të gjakosur në pjesën e nofullës. Së bashku me shefin Dhimitër Trushi arritëm ta tërhiqnim në një vend më të sigurt. Më pas u afruan edhe kolegët e tjerë dhe u përpoqëm t’i ndalonim gjakderdhjen”, ka dëshmuar Sokoli.

Sipas tij, në ato momente autori ishte neutralizuar dhe forcat policore po përqendroheshin në dhënien e ndihmës së parë për efektivin e plagosur. Ai ka theksuar gjithashtu se gjatë instruktazhit dhe pak para ndërhyrjes, efektivëve u ishte bërë e qartë se personi që po kërkohej konsiderohej shumë i rrezikshëm dhe mund të ishte i armatosur.

Dëshmia e plotë:

Në ora 04:00 u paraqita në Drejtori dhe aty u takova me punonjës të tjerë. Kanë shkuar në armaturë dhe kanë marrë armatimin automatik, ndërsa jelekët antiplumb i kishin në mjetin e shërbimit. Menjëherë pasi kanë marrë armatimin, kanë hipur te mjeti Volkswagen me targa MB060AA.

Në mjet, së bashku me të, ishte shefi i seksionit Dhimitër Trushi, Edison Adri, Enea Mekolli, Erikson Alillari, Renato Seiti. Në momentin që janë nisur, shefi i seksionit tha se do të shkonin në Komisariatin e Policisë Maliq, ku do të bënin edhe instruktazhin.

Mbasi kanë shkuar në Komisariatin e Policisë Maliq, kanë zbritur nga mjeti dhe janë rreshtuar te oborri i Komisariatit. Në oborrin e Komisariatit, në rresht me të, ishin edhe forca të tjera të këtij komisariati. Në instruktazh ishin edhe dy zv.drejtorët e DVP-së, si dhe shefi i Komisariatit të Maliqit.

Në instruktazh u tha emri i personit, i cili quhej Violant Braçellari, u tha që është person në kërkim, i rrezikshëm, mban armë dhe njëkohësisht u dhanë edhe disa karakteristika trupore të tij. Mbasi përfunduan instruktazhin, hipën në mjet dhe u nisën në drejtim të Lozhanit.

Kanë kaluar Lozhanin dhe më pas janë futur në një rrugë dheri, e cila shkon në drejtim të malit të Bodes. Pasi janë ngjitur në mal për një farë kohe, kanë qëndruar rreth 500 metra larg stallave, kanë zbritur nga mjeti, kanë marrë pajisjet që kishin me vete, duke veshur jelekët antiplumb dhe duke marrë automatikët. Mbasi kanë marrë pajimet, përsëri zv.drejtori i Rendit në DVP i ka rreshtuar duke i porositur që të tregonin kujdes, pasi personi është shumë i rrezikshëm dhe mund të ketë me vete dhe të përdorë automatik ose pistoletë.

Janë ndarë si grup, pasi Erikson Alillari dhe Enea Ibi shkuan në krahun e djathtë të stallave me qëllim që të zbrisnin poshtë stallave, ndërsa ai me pjesën tjetër të grupit, shef Dhimitri, Edison Adri, Enea Mekolli, Renato Seiti, morën një drejtim tjetër duke kaluar në një rrugë dheri, e cila kalonte në krah të stallave. Në një moment Enea i tha: “Ka lëvizje te stallat” dhe Renato, së bashku me Edisonin, bënë thirrje: “Jemi policia, dorëzohu”, “Je i rrethuar”.

Mbas kësaj thirrjeje, Enea ishte para tyre dhe në këto momente ai ka dëgjuar breshëri armësh. Në pozicionin që ishte i ulur në gjunjë, ka hapur zjarr në drejtimin që mendonte se erdhën të shtënat nga fundi i stallave. Në një moment ka vënë re shokun e tij të grupit, Edison Adri, i cili ishte i gjakosur në pjesën e nofullës.

Ai dhe shef Dhimitri kanë mundur ta tërheqin deri te një vend, më pas aty u afruan edhe Eriksoni me Renaton, kanë grisur një bluzë duke u munduar t’i ndalonin gjakderdhjen.

Gjatë kësaj kohe të shtënat kishin ndaluar, autori ishte neutralizuar dhe po përpiqeshin t’i jepnin ndihmë Edisonit, duke e çuar në një vend më të sigurt. Më pas ka shkuar te vendi ku po qëndronte kolegu i tij Enea Ibi, duke qëndruar aty derisa erdhi grupi hetimor.

I pyetur në lidhje me instruktazhin, ka deklaruar se në instruktazhin që zhvilluan në Komisariatin e Policisë Maliq, por edhe në momentin përpara se të ndërhynin, iu tha që personi është shumë i rrezikshëm dhe mund të jetë i armatosur.