IDE, 13 Shtator 2021, 12:36

Sikur Basha të ishte i lirë

Sikur Basha të ishte i lirë

Në një univers paralel, takimi i korrikut me ambasadoren Kim do të kishte shkuar ndryshe. Në një variant, Basha mund të kishte lozur blofin duke hapur takimin me ‘Shkëlqesi ambasadore, para se të fillojmë dua t’ju njoftoj se kam ndryshuar protokollin e takimeve me diplomatë dhe zyrtarë të huaj. Ky takim po regjistrohet në audio’. Në mos do të kishte mbaruar takimi me kaq, me siguri që rrjedha e bisedës do të ishte krejt tjetër, sepse asaj menjëherë do t’i ishin kujtuar Kongresi, Komisioni i Politikës së Jashtme, seancat dëgjimore, komisionet hetimore, Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Shtetit, dhe agjenci të tjera ligjzbatuese.

Në variantin e dytë, takimi do të kishte zgjatur shumë, tepër shumë. Pas kërkesës së ambasadores për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, terreni do të ishte i Bashës. Së pari do të duhej të kërkonte që të paraqiteshin prova; jo atij, por SPAK. Dhe vetëm pasi të hapeshin hetimet hipotetike zyrtarisht, atëherë ai në çast jo vetëm që do të largonte Berishën nga grupi parlamentar, por edhe nga Këshilli Kombëtar po të donte. Askush nuk do t’i thoshte pse.

Së dyti, do të duhej t’i bënte të qartë se ‘shteti i së drejtës’ ekziston edhe në parti, dhe kërkesa e saj ishte anti-statutore.

Së treti, do ta pyeste se ‘pse Berisha nuk qenka i denjë për anëtar grupi parlamentar, por qenka për deputet’?, apo ‘çfarë vlere ka largimi nga grupi, kur nuk mund ta largojmë dot nga parlamenti’? Apo, ‘pse qenka i padenjë pas zgjedhjeve, dhe jo para zgjedhjeve’? Apo, ‘nëse Departamenti i Shtetit e paska me seriozitet të madh punën e korrupsionit, pse qenka Berisha top-prioritet kur tashmë nuk është në gjendje të bëjë dëm, dhe nuk qenka Edi Rama, Erion Veliaj dhe i gjithë kabineti qeveritar?’.

Më pas, imagjinoj Bashën duke i zgjatur një Raport Konfidencial të OSBE të vitit 2015, që vlerësonte pasurinë e paligjshme të Edi Ramës në 200 milionë Euro. Pastaj, parashikoj Bashën duke i vendosur në tavoline 137 fashikuj me aferat korruptive të Ramës si Kryetar Bashkie (Basha ishte pasardhës i tij dhe kishte akses të plotë në dokumente). Pastaj nga një dosje për secilën aferë të Ramës nga shtatori 2013 në shtator 2021. Për gjithçka. Për drogën. Për PPP. Për pastrimin e parave. Për vjedhjen e pronave. Për shëndetësinë; arsimin; rendin; kulturën; mbrojtjen dhe radarët; teatrin. Për çdo akuzë të ngritur ndaj tij ndër vite.

Do të vazhdoja me nga një dosje, me profilin, historikun, procesin e përzgjedhjes dhe mbrojtjes publike nga ana e Ramës për secilin deputet, kryetar bashkie a zyrtar të lartë, të kapur dhe shkarkuar nga vetingu. Pasi të mbaronte me Ramën, do të kalonte te Erion Veliaj. Me të njëjtën procedurë. Një nga një. Një fashikull për secilën aferë. Prej tij do të kalonte te Saimir Tahiri, ku në krye të dokumenteve do të vendoste fotografinë e Tahirit në delegacion me Ramën në Shtëpinë e Bardhë duke takuar Presidentin Obama dhe Zv. Presidentin Biden në vitin 2016, kohë kur ky i fundit hetohej nga antimafia italiane për trafik ndërkombëtar droge. Kohë kur shërbimet inteligjente informonin jo vetëm institucionet shtetërore dhe ato ligjzbatuese për përfshirjen e tij dhe të 134 drejtuesve më të lartë në Policinë e Shtetit në trafikun e drogës, por edhe vetë ambasadën. Pastaj do të vazhdonte me fashikujt e dosjeve për secilin ministër a drejtor të qeverise Rama 1 dhe Rama 2, për t’i lënë vend në fund kryetarëve të bashkive socialiste.

Dhe pasi të mbaronte me dosjet, në shenjë vullneti të mirë, mund t’i vinte në dispozicion një furgon të partisë për t’i transportuar deri në ambasadë. Në fund, takimin mund ta mbyllte me fjalët ‘merru një herë me këto, pastaj hajde flasim për Berishën’.

Por, jo. Se Basha nuk është ky.

Dy ngjarje të bujshme, por të harruara kanë përcaktuar marrëdhëniet Rama-Basha-ShBA nga 2013 e këtej. E para ka të bëjë me hedhjen në erë me tritol të një pallati të familjarëve të Bashës të ndërtuar në mënyrë të ligjshme në Vlorë sapo Rama erdhi në pushtet. Çeshtja u fitua me të drejtë në Strasburg. Por, mesazhi i Ramës për Bashën ishte i qartë: unë të shkatërroj, por edhe të paguaj. Shkopin dhe karotën. Shantazhin dhe pazarin. Pazarin si preferencë të parë, dhe shantazhin si mjet në rast nevoje. Sa herë Basha ka lëvizur nga pazari, është përdorur shantazhi. Kjo është marrëdhënia e tyre. Dashuri dhe urrejtje.

Ngjarja e dytë lidhet me premtimin e Ramës për të ofruar territorin e Shqipërisë si vend ku do të shkatërroheshin lëndët kimike siriane po atë vit. Premtimi i Ramës kishte një kusht: administrata amerikane duhej të siguronte që opozita nuk do ta kundërshtonte. Ambasadori i asaj kohe ia kërkoi Bashës në emrin personal të Sekretarit Kerry. Basha i premtoi. I ndjeri Olldashi nxori pasuesit e tij në protestë. Basha, nga frika e protagonizmit të kundërshtarit të tij në parti, nxori të vetët. Në nje bisede të egër telefonike midis Bashes dhe ambasadorit amerikan, Basha u justifikua që njerëzit i nxori Berisha. Përgjigja ishte e ftohtë si thika: ‘Zotëri, ti ma more përsipër. Nuk më ke gënjyer mua, por Qeverinë amerikane. Harroji Shtetet e Bashkuara.’

Nuk dua të përmend budallallëqet e tjera të tij në Uashington, por fakt është se Partia Demokratike e Bashës ka qenë partia politike shqiptare me më pak prezencë në Uashington. Sepse këtë e di vetëm Basha. Fakt është se vizita e fundit në ShBA është diku nga gushti i vitit 2018. Prej atëherë ai nuk ka mundur të udhëtoje më. Jo sepse nuk ka dashur, por sepse nuk i është dhënë vizë. Derisa humbi zgjedhjet, Basha ishte ‘anti-amerikan’. Nuk di që anti-amerikanizmi i tij të ketë ardhur prej Berishës. Meqë kriteri për të ardhur në pushtet qenka (non) grata, pra, pasja e një vize amerikane, nuk e di si e mendonte Basha se do të vinte në pushtet duke qenë ‘non-grata’. Kur Rama e dinte se Basha ishte non-grata, pse nuk duhej t’i vidhte zgjedhjet, siç pretendon Basha? Pyetja për demokratët është: pse nuk iu tregoi Basha që nuk mund të udhëtonte për në ShBA para dhe pas zgjedhjeve?

Pas përjashtimit të Berishës nga Basha, ambasadorja Kim u shpreh se tani fillon periudha e artë midis Partisë Demokratike dhe ShBA-ve.

Së pari, zonja, e cila duket qartazi që shijon rolin e saj të papritur si Celebrity dhe si Guvernatore edhe fale aksesit personal te Sekretari i Shtetit Blinken (ka qenë shefe kabineti e tij, kur ky ishte nën-Sekretar Shteti) nuk e thotë se zgjedhjet lokale do te mbahen pasi kjo të ketë ikur nga këtu. Nëse PD mori mbi 600 mije vota, i mori sepse Berisha shërbente si digë për të mbajtur votuesit te Basha. Kush do t’i votojë kandidatët e Bashës në zgjedhjet lokale, pas kësaj që bëri me Berishën?

Së dyti, në emër të kujt flet zonja? Zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë në vitin 2025, kohë kur as zonja, as shefi i saj dhe as kjo administratë nuk do jenë më.

Edi Rama ka filluar që tani të paguajë për t’u afruar meRepublikanet. Basha nuk ka asnjë shans. Zero. Mund të shpresojë që Rama t’i heqe ‘damken’. Madje edhe t’i organizoje ndonjë vizitë në Uashington për të treguar që tani amerikanët e duan ‘edhe Bashën’, por i rren mendja. Se pa Berishën, Rama e ha Bashën për mëngjes, e ‘Gazin me kallash’ e ka për aperitiv’.